Presidenti amerikan Donald Trump do të vizitojë Britaninë e Madhe në mesin e këtij viti, ndoshta në korrik, raportuan të shtunën mediet britanike, duke cituar burime në Uashington dhe Londër.

Një zëdhënëse e kryeministres Theresa May tha se, zyrtarët po punojnë ende për detajet e një vizite të Trumpit, pasi “Daily Mail”, duke cituar një burim qeveritar britanik kishte thënë se data të mundshme në mes të gushtit janë përcaktuar tashmë.

Britania e Madhe do të donte të forconte marrëdhënien e saj të posaçme me Shtetet e Bashkuara, ndërsa qeveria e Theresa Mayt përgatitet të dalë nga Bashkimi Europian, një divorc ky që do të përcaktojë pozicionin e vendit në skenën globale, por Trump ende nuk e ka vizituar Londrën.

“Daily Telegraph” citonte një zyrtar anonim në administratën “Trump”, që theksonte se presidenti po planifikon të vizitojë Britaninë e Madhe në verën e vonë. Shumë zgjedhës britanikë kanë thënë se, nëse presidenti amerikan viziton vendin, ata do të protestojnë për një seri çështjesh.

Ambasada amerikane në Londër, sidoqoftë nuk ka dhënë ende asnjë koment për këto raporte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA