I janë dashur 6 vite reflektimi për të sjellë të plotë në telajo figurën shumëdimensionale të Skënderbeut.
Në 80 kuadro në akrilik të pjekur e teknikë mikse, Gjovalin Paci sjell pas shumë vitesh mungesë ekspozitën e tij vetjake, ku në çdo kuadro dallohen dy antitezat: nga njëra anë figura hijerëndë e heroit kombëtar, e nga ana tjetër eleganca e finesa me të cilën është realizuar çdo punë.
“E para është çështje reflektimi. E dyta sepse e kam mbyllur me Skënderbeun në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe po e rihap me Skënderbeun pas 6 viteve të tjera. Ekspozita në fakt është ndërtuar mbi legjendat që ne njohim që fëmijë prej gjyshërve dhe gjysheve, i rritur me letërsinë nëpërmjet Kadaresë, Barletit apo Schmidit”, tregon Paci.
E kuqja dhe e zeza fshehin në telajo simbolikën e fortë të piktorit. E zeza përfaqëson 550 vite që Skënderbeu nuk është më mes nesh, ndërsa ngjyrat e tjera tregojnë arritjet e dështimet e heroit tonë kombëtar.
“Skënderbeu në fakt është një nga njerëzit tanë më të mëdhenj. Ka një lloj tisi, një lloj perdeje në njohjen e tij. Ka shumë diskutime. Është një figurë komplekse. Unë jam munduar ta trajtoj si bashkëkohës të mbretërve, të krajlve. Ai s’ka qenë vetëm një strateg, por edhe ushtarak i marrëdhënieve me jashtë. Skënderbeun jam munduar ta sjell si një njeri në tokë, jo vetëm si hero kombëtar”, shprehet Paci.
Skënderbeu shumëdimensional i Gjovalin Pacit mirëpret vizitorë deri në datën 24 prill, në Muzeun Historik Kombëtar.
Top Channel