Më shumë se një muaj më herët në kalendarin meteorologjik, Europa Qendrore dhe ajo Perëndimore po përjetojnë valën e parë të të nxehtit të verës, me temperatura që në Francë, Gjermani dhe Holandë kanë shkuar në mbi 30 gradë Celsius.
Në rajonin ku përfshihet edhe vendi ynë, fundjava, sipas ekspertëve do të sjellë temperatura tipike për muajin qershor, pra rreth 10 gradë më të larta nga mesatarja sezonale.
E gjithë kjo, falë një fushe presioni të lartë që ka përqafuar pjesën më të madhe të kontinentit. Përveçse do të sjellë temperatura si jozakonisht të larta, presioni i lartë do të garantojë diell dhe mot të qëndrueshëm në rajon për disa ditë radhazi, me përjashtim të ndonjë stuhie lokale, që mund të regjistrohet në kuotat më të larta. E situata do të jetë e njëjtë, të paktën deri në mesin e javës së ardhshme.
Mërkuri në termometër është ngjitur sërish në fundjavë edhe në Britani, duke bërë që vendi të regjistrojë prillin më të nxehtë në të paktën 7 dekadat e fundit. E enjtja që shkoi, sipas medieve britanike, ishte dita më e nxehtë e vitit deri më tani në Britani, me njerëzit që nuk hezituan të festonin.
Në Londër, temperatura u ngjit në mbi 27 gradë Celsius dhe tendenca vijon. Madje, ky shpërthim i rrezeve të diellit duket sikur është shoqëruar edhe më një shpërthim të humorit anglez në rrjetet sociale.
“Nuk duam të alarmojmë askënd, por qyteti ynë duket se është mbuluar nga një dritë e ngrohtë, që duket sikur vjen nga qielli…çfarë të jetë?”, shkruante një përdorues i “Twitter”-it. “A mban mend ndokush se çfarë vishet në këtë lloj moti”, shkruante një tjetër.
Top Channel