Rama: Arsimi profesional, më shumë mundësi punësimi se diploma e universitetit

20/04/2018 11:31

Kryeministri Edi Rama duke folur me statistika për arsimin profesional, tha se ata që kryejnë arsimin profesional kanë 20% më shumë mundësi punësimi se ata me diplomë universiteti. Dhe sipas tij ka një arsye për këtë.

“20% më shumë është mundësia e punësimit e atyre që kryejnë arsimin profesional në krahasim me ata që e kanë një diplomë universiteti. Kjo lidhet dhe me cilësinë mizerabël të shumë diplomave të universiteteve të së shkuarës dhe tanimë të mbyllura, por nga ana tjetër lidhet dhe me urinë e madhe që ka tregu i punës për zanatçij, profesionistë. Gjithashtu është me rëndësi të përmendet dhe fakti që numri i të diplomuarve në arsimin profesional është rritur me thuajse dyfish krahasuar me një vit më parë. Ne do të vazhdojmë ta nxisim shumë fort arsimin profesional. Anketa e forcave të punës tregon se shkalla e punësueshmërisë së nxënësve që diplomohen në arsimin profesional është 12% më e lartë se ajo e nxënësve me arsim të mesëm të përgjithshëm. Po ashtu, statistikat tregojnë qartë që dhe vlera e pagës për nxënësit që mbarojnë arsimin profesional në vendin e tyre të parë të punës është më e lartë se ajo e atyre që mbarojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm në vendin e tyre të parë të punës”, tha Rama.

Ai tha se përpjekja është që vendi të ecë mbi dy këmbë, në kuptimin e arsimimit dhe formimit të të rinjve.

“Kjo mungesë dramatike e kaq shumë zanateve e profesioneve në një vend që është në zhvillim do të thotë as më shumë e as më pak po një vend që ecën jo mbi dy këmbë, po vetëm me një këmbë. Përpjekja jonë për ta bërë vendin të ecë mbi dy këmbë, në kuptimin e arsimimit dhe formimit të të rinjve, ka nisur që në ditën e parë të mandatit të parë dhe sot natyrisht nuk jemi ende në pikën ku të themi që tani vendi ecën në dy këmbë, por jemi në një moment kur mund ti prekim nga afër rezultatet e arritura dhe mund ta shohim me shumë më tepër optimizëm dhe siguri të ardhmen. Qëllimi ynë dhe politika jonë në këtë drejtim është e dedikuar që numri i nxënësve që shkojnë në arsimin profesional të rritet në mënyrë progresive, dhe në arsimin profesional të mos shkojnë thjesht dhe vetëm nxënësit që nuk ndjekin dot arsimin e mesëm të përgjithshëm për arsye të rezultateve por dhe më të mirët”, tha ai.

 

Top Channel