Partia Demokratike ka reaguar përmes Jorida Tabakut, pas fjalës së ministrit Arben Ahmetaj, i cili tha ndër të tjera se raporti i Komisionit Europian vlerëson edhe ecurinë ekonomike të vendit.
PD e quan propagandë.
“Nuk foli për ata 11 Kuksianë që u arrestuan padrejtësisht nga shteti policor sepse nuk pranuan të paguajnë haraçin Rama për të kaluar rrugën që e paguajnë në çdo litër karburant. Nuk foli as për biznesin e vogël që sot është në kushte mbijetese e ka ulur qepenat, që po pushon masivisht njerëz nga puna. Që paguan më shumë prej 1 prillit”, thotë Tabaku.
Deputetja demokrate përmend edhe rastin e falimentimit të Gulf.
“Nuk foli as për kompaninë Gulf që para pak ditësh ka “vetëfalimentuar” pasi ka shitur miliona tollona karburant me çmim më të ulët se i tregut duke krijuar kështu një piramidë. Nuk foli as se kush janë pronarët e vërtetë të kësaj kompanie? As se pse kjo kompani njësoj si Armo ka taksa e tatime të papaguara? Nuk foli megjithëse një vit më parë nisi një aksion për kontrollin e pikave të karburantëve”, shtoi ajo.
“Kjo është Shqipëria e propagandës, ajo ku i varfëri burgoset e klienti i qeverisë favorizohet. Ajo ku burimet natyrore shfrytëzohen e ku biznesi ndershëm ul qepenat”, mbylli reagimin e saj Jorida Tabaku.
Top Channel