Organizata e armatosur baske, “ETA” ka kërkuar falje për viktimat që ka shkaktuar përgjatë konfliktit disadekadësh për pavarësi, vetëm disa ditë përpara shpalljes së pritshme për shpërbërjen e saj.
Grupi kërkoi “falje” për vrasjen e qindra njerëzve, të cilët “nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt”.
Qeveria spanjolle njoftoi se “ETA” ishte mposhtur politikisht dhe operacionalisht, duke mos arritur asnjë prej objektivave të saj. “ETA” ka vrarë të paktën 800 persona e ka plagosur mijëra të tjerë gjatë konfliktit 40-vjeçar.
Grupi, i cili ndërmori një fushatë gjakatare për pavarësi në 7 rajone veriore të Spanjës dhe jugperëndim të Francës, pritet që të njoftojë shpërbërjen në fillim të muajit të ardhshëm.
“Jemi në dijeni se, gjatë kësaj periudhe të gjatë betejash të armatosura kemi krijuar shumë dhimbje, përfshi edhe shumë dëme për të cilat nuk ka asnjë zgjidhje”, thotë grupi në një deklaratë të publikuar në dy të përditshme baske të shtypit të shkruar.
“Duam të tregojmë respekt për viktimat, të vdekur e të plagosur, të cilët u shkaktuan nga veprimtaria e ETA-s. Vërtet kërkojmë falje”, shtohej më tej në të, duke pranuar “përgjegjësinë e drejtpërdrejtë” në “vuajtjet shproporcionale” në rajonin bask.
Grupi tha gjithashtu se ishte i angazhuar të ecte përpara në procesin e pajtimit në shtetin bask. Në shtator të vitit 2010, “ETA” njoftoi se nuk do të kryente më sulme, e deklaroi një armëpushim të përhershëm në janar të vitit 2011. Në prill të vitit 2017, grupi i militantëve zbuloi vendstrehimin e armatimeve të tyre dhe tha se ishte çarmatosur tërësisht.
“ETA” u krijua në vitet ’60 si një lëvizje studentore për rezistencë, duke kundërshtuar ashpër diktaturën represive ushtarake të gjeneralit Franco. Nën drejtimin e tij, gjuha baske ishte ndaluar, kultura dalluese u shtyp, ndërsa intelektualët u burgosën e u torturuan prej pikëpamjeve të tyre politike e kulturore.
Vdekja e gjeneralit Franco në vitin 1975 dhe tranzicioni drejt demokracisë i dha rajonit të dy milionë banorëve vetëqeverisje.
Top Channel