Rrymat oqeanike që mbajnë të ngrohta brigjet e Atlantikut në Europë dhe në Amerikën e Veriut kanë ngadalësuar ndjeshëm që prej vitit 1800 dhe tani janë më të dobtat në 1600 vitet e fundit.
Një grup paleoqeanografësh, të udhëhequr nga Peter Spooner i Universitetit të Kalifornisë thonë se ky dobësim i dy rrymave kryesore, njëra e ngrohtë dhe tjetra e ftohtë ka një rol thelbësisht të rëndësishëm sa i takon klimës globale.
Bëhet fjalë për një sistem natyror, ku uji i ngrohtë transporton kripën dhe të ngrohtin drejt veriut të Atlantikut. Pasi ftohet ky ujë bie në fund të oqeanit dhe udhëton sërish për në jug dhe vazhdon kështu pambarimisht. I gjithë efekti që shkakton ky proces është një temperaturë e ngrohtë në brigjet e Amerikës së Veriut dhe të Europës përfshirë këtu edhe rajonin tonë me Mesdheun, por me ndikim të fortë edhe në klimën globale.
Për këtë dobësim shkencëtarët fajësojnë ngrohjen.
“Qarkullimi i këtyre dy rrymave është thelbësor për klimën. Ngadalësimi i tyre mund të ketë nisur natyralisht, por me gjasa është përforcuar nga ndryshimet klimatike dhe çlirimi i gazrave të dëmshëm në atmosferë”, thotë Spooner.
Më tej ai paraqet një skenar apokaliptik, të ngjashëm me atë të portretizuar nga Hollivudi në filmin “The Day After Tomorrow”.
“E dimë që gjatë epokës së fundit të akullnajave luhatjet e forta të rrymave të ajrit çuan në kushte ekstrem dhe radiale të motit në shkallë globale. Duket e ekzagjeruar, por një rast i tillë është përshkruar më së miri në filmin e vitit 2004 The Day After Tomorrow”, shton ai.
Studiuesit thonë se një shkak tjetër i ngadalësimit të dy rrymave kanë qenë temperaturat rekord të larta të regjistruara në veri të Atlantikut.
Top Channel