Largimi i shirave dhe ngrohja e motit u ka dhënë mundësi ndërmarrjeve të Bashkisë së Tiranës që të intensifikojnë ritmin e punimeve në një sërë projektesh publike në kryeqytet. Kështu, pas hyrjes së lagjes “Komuna e Parisit”, një tjetër aks i rëndësishëm në kryeqytet është drejt përfundimit.
Bëhet fjalë për Rrugën e “Dibrës”, në segmentin nga “Farmacia 10” deri në Kinostudio, e cila u shërben mijëra banorëve dhe është një nga portat hyrëse në Tiranë.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa ka publikuar disa foto nga rruga e re në këtë aks, bën të ditur se mbeten edhe pak ditë punë që kjo rrugë të përfundojë plotësisht.
Gjithsesi, siç shihet nga fotot, rruga ka marrë tashmë pamjen e plotë, pasi përveç tapetit të asfaltit janë bërë edhe të gjitha vijëzimet, ndërsa po i jepet dora e fundit edhe detajeve më të vogla.
Në këtë rrugë janë bërë të gjitha punimet nëntokësore për kanalizimet e ujërave të zeza dhe të kullimit, sistemimi i asfaltit, trotuare të reja, ndriçim “LED”, si dhe mbjellja e pemëve.
Kjo rrugë plotëson dhe një standard tjetër, pasi për herë të parë është pajisur me një korsi të dedikuar me tapet të kuq për biçikletat.
Top Channel