Qeveria ka nisur që tani konsultimet për paketën fiskale të vitit të ardhshëm. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj premtoi uljen e taksave për biznesin e vogël, por pa dhënë shumë detaje.
“Ka disa vendimarrje, nisma të Kryeministrit që kanë të bëjnë me trajtimin e biznesit të vogël, të cilat do të lancohen në javët që vijojnë, të cilat mund të prekin disa ligje, midis tyre dhe ligjin për tatimin mbi të ardhurat”, thotë Ahmetaj.
Sipas Ahmetajt, një tjetër kategori që do të përfitojë ulje taksash janë bizneset e agro-turizmit.
“Ju besoj qe keni ndjekur ndryshimet e rëja fiskale që kanë të bëjnë me turizmin, me paketën e turizmit. Me uljen e tatim fitimit, me bërjen zero të tatim fitimit, me uljen e TVSH, me mosaplikimin e taksës së pronës për ndërtuesit investitorë. Ka një iniciativë të fundit të Kryeministrit që e njëjta skemë të përdoret, edhe të agro-turizmi me të njëjtën frymë dhe në vazhdën e saj dhe në vazhdën e saj ka një iniciativë tjetër të Kryeministrit, po në këndvështrim të lehtësimit të barrës fiskale për sipërmarrjen private”, deklaron Ahmetaj.
Kreu i financave zgjodhi shoqatën e ndërtuesve për të nisur konsultimet e paketës së re fiskale. Për këtë kategori biznesesh ai lajmëroi një ndryshim në formulën e taksimit.
“Që në thelb ka të bëjë me ndarjen e përgjegjësisë fiskale, pra përgjegjësisë tatimore, midis ndërtuesit investitorit dhe pronarit të tokës”, sqaron ministri i Financave.
Sipas Ahmetajt, për tre muajt e ardhshëm qeveria do të konsultohet me të gjitha grupet e interesit dhe pas korrikut do të paraqesë paketën e re të taksave.
Top Channel