Terrorizmi i sotëm islamik në Europë, pasojë e gabimit 100-vjeçar të Perëndimit

18/04/2018 13:27

Sa herë që qytetet europiane goditen nga ndonjë sulm terrorist islamik, gazetat më me peshë të kontinentit ndizen në debate se çfarë mund ta ketë shkaktuar.

Disa pyesin nëse shtetet Europiane duhej t’i ishin përgjigjur ndryshe pakënaqësive të pakicave myslimane: ndoshta duke u ofruar hapësirë më bujare ndryshimeve të tyre kulturore; të tjerë thonë se ndoshta duhej t’ua kufizonin më shumë. Edhe kur është e qartë që Islami nuk është një faktor domethënës në Europë, diskutimet vazhdojnë.

Bisedës i është bashkuar një nga njohësit më të mirë të Islamit europian në Amerikë, duke dhënë argumente shumë interesante. Për t’iu përgjigjur atyre që thonë se terrorizmi ka të bëjë me islamin, studiuesi amerikan Jonathan Laurence argumenton në një artikull për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se problemet që vijnë nga islami i sotëm janë pasojat e një gabimi që Perëndimi e ka bërë gati 100 vite më parë.

Në verën e vitit 1916, qeveria britanike dhe aleatët e saj nisën të ushqejnë një revoltë arabe kundër autoriteteve politike e shpirtërore otomane. Kjo çoi në marrjen e Jerusalemit, nën drejtimin britanik, dhe u hoqi kontrollin otomanëve nga vendet e shenjta, që nga Levanti e deri në Arabi. Për të zëvendësuar otomanët, britanikët mbështetën dinastinë Hashemite, e cila vazhdon të sundojë edhe sot në Jordani. Por përfituesit më të mëdhenj ishin familja mbretërore saudite, të cilët morën Mekën dhe Medinën në vitin 1924.

Sipas z.Laurence, profesor në Boston College, kjo ngjarje i dha fund dekadave të tëra gjatë të cilave kalifati (një institucion me rol shpirtëror të cilin otomanët e kishin kombinuar me autoritetin botëror të sulltanit, deri në vitin 1922) e kishte ndikuar islamin botëror në mënyrë pozitive. Jo vetëm brenda mbretërisë osmane, por edhe më tej. Kalifati drejtohej nga një rrjet ndërkombëtar studiuesish, predikuesish dhe gjykatësish. Siç tregohet nga Halil Inalcuk, një historian otoman që vdiq në vitin 2016, pushteti i sulltanit ndaj kalifatit ka ndryshuar shumë gjatë kohëve: disa sulltanë arrinin t’i vinin nën kontroll studiuesit myslimanë, të tjerë jo. Por roli shpirtëror i këtij institucioni ishte domethënës në të gjithë botën, sidomos gjatë shekullit të 19-të dhe fillim-shekullit të 20, kur ishte i pranuar nga rreth 100 milionë myslimanë që jetonin nën sundimin britanik (në Azinë e Jugut) dhe nën sundimin holandez (Indonezia e sotme).

Siç shkruan shkrimtari turk Mustafa Akyol, ndikimi i kalifatit mbi myslimanët në Azinë e Paqësorit ka dhënë përfitime për vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Abdulhamid II, (ai që shihni në foton e lajmit), sulltani i fundit otoman, i bindi myslimanët e ishujve Filipine që të pranonin pushtetin amerikan në arkipelagun e tyre. (Të tjerë kanë kujtime të hidhura nga ky sundimtar. Armenët e quajnë fajtor për vrasjen e dhjetëra mijëra bashkatdhetarëve në vitin 1895.)

Pikërisht sepse kalifati otoman i tërhiqte shumë popujt e pushtuar nga europianët, fuqitë perëndimore bënë çmos për t’ia sabotuar pushtetin. Që nga viti 1879, diplomacia britanike është përpjekur vazhdimisht që ta heqë qendrën shpirtërore të islamit nga turqit e ta kalojë te arabët. Holandezët i detyruan myslimanët e tyre që të mos i referohen kalifatit gjatë lutjeve. Francezët patën më shumë sukses. Ata reklamonin qendra të tjera shpirtërore për myslimanët e tyre në Algjeri e Marok. Kalifati vazhdoi të kontrollonte Afrikën e Veriut vetëm për shkak të kontrollit që kishin otomanët në Libi. Por kur nacionalistët laikë të Turqisë u përpoqën ta rrëzojnë kalifatin në vitin 1924, përpjekjet e tyre u lehtësuan shumë nga fakti që fuqitë europiane kishin dekada që e sabotonin punën e zyrës së shenjtë.

Sipas z.Laurence, rrëzimi i kalifatit të vjetër krijoi një boshllëk që është mbushur vazhdimisht gjatë shekullit pasardhës nga drejtues shumë më të errët, që nga ajo kohë e deri te Abu Bakr al-Bagdadi i sotëm, drejtuesi i ISIS-it. Edhe kur ata ndalojnë së prodhuari urrejtje kundër perëndimit, rrjete të tjera ekstremiste, që nga Pakistani e deri në Arabinë Saudite, kanë zëvendësuar me ashpërsi tonin e butë fetar që kishin vendosur kalifët otomanë, të cilët ishin gjithashtu njohës të artit dhe muzikës perëndimore.

A është kjo diçka më shumë se thjesht një detaj interesant i historisë? Po, është më tepër se aq, sipas z.Laurence. Është naivitet të mendosh se islami i sotëm Europian mund të qëndrojë i ndarë nga vendet ku islami mbizotëron shoqërinë. Në një mënyrë a një tjetër, myslimanët në Europë do të vazhdojnë të preken nga idetë që vijnë nga vendet e kontrolluara nga feja. Qeveritë e sotme Europiane kanë nevojë ta kuptojnë me imtësi të sofistikuar se si funksionon ndikimi i tyre, dhe, mbi të gjitha, të kuptojnë rreziqet që krijohen në mënyrë të paqëllimshme. Duke mbështetur njëanshmërisht vetëm një rrymë kulturore apo teologjike, ata mund të lënë hapur rryma të tjera, shumë më të rrezikshme.

ERASMUS, the Economist

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA