Risi në Tiranë, nismë për tarracat e gjelbra të pallateve

18/04/2018 14:16

Përveç fondit të Komuniteteve, bashkia ka nisur një tjetër nismë, atë të tarracave të gjelbra të pallateve.

Projekti në fakt është realizuar tre vite më parë në tarracën e bashkisë së Tiranës, dhe së fundmi i është shtuar ajo e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

“Shumë prej ndërtesave publike në Tiranë si ministritë, institucione varësie apo drejtori, mund të kenë një mikro-hapësirë, një lulishte në nivelin vertikal. Sot të gjithë po flasim për pyje orbitale dhe pyje vertikale, pra si mund të ndërtojmë një oaz gjelbërimi në tarracën e secilës prej ndërtesave publike”, tha Veliaj.

Për realizimin e këtij projekti që fut edhe një kulturë të re në mënyrën e projektimit të ndërtesave, Bashkia e Tiranës po shqyrton disa propozime.

“Propozimi i parë është të vijojmë me të gjithë ndërtesat publike, çka më pas të ndiqet nga ndërtesat private. Propozimi i dytë është që tarracat e gjelbra në ndërtesat private t’i bëjmë me bashkëfinacim. Sot fatmirësisht, GEF, Europol dhe Ekolëvizja kanë qenë bashkëfinancuesit e ndihmuesit e kësaj përpjekje, por në ndërtesat private këtë mund ta bëjmë fare mirë me fondin e komuniteteve, ku administratori i zgjedhur i pallatit vjen të aplikojë. Ne i japim një manual se si mund të bëhet tarraca e gjelbër dhe më pas bëjmë bashkëfinancimin, 50% Bashkia dhe 50% banorët”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që në bashkëpunim me administratorët e zgjedhur, të aplikojnë për projekte të tilla, të cilat jo vetëm do të përmirësojnë anën estetike të godinave, por njëkohësisht do të përmirësojnë eficencën e energjisë dhe cilësinë e ajrit.

“Tarracat janë pjesë e një bashkëpronësie. Koha kur i forti i pallatit që mendon se tarraca është e vetja dhe mund të shpojë një vrimë apo të zaptojë hapësirën, ka marrë fund. Sot ka ardhur koha që administratori, si zëdhënës i atij komuniteti, të vijë në Bashki, jo vetëm të marrë në zotërim tarracën, por edhe të zbatojë projekte të tilla”, tha Veliaj, teksa vlerësoi Fakultetin e Arkitekturës dhe të Urbanistikës që përqafuan këtë nismë.

Top Channel