Rama: Opozita jo “baltë” në Europë, të bashkohemi në një fanellë kuqezi

18/04/2018 11:35

Në Konferencën e përbashkët me Shefen e Diplomacisë Europiane Federica Mogheri, Kryeministri Rama i bëri thirrje edhe njëherë opozitës të mos bashkëpunojnë me asnjë faktor Europian që do ta pengojë Shqipërinë në këtë proces.

“Dëftesa që kemi në dorë na e bën pak më të lehtë këtë punë jo të lehtë. Dua t’i lutem si shqiptar, si qytetar dhe jo si kryeministër, përfaqësuesve të opozitës të mos bashkëpunojnë me asnjë faktor Europian që do ta pengojë Shqipërinë në këtë proces. Të mos ushqejnë zyra deputetësh andej këtej me gënjeshtra dhe të mos eksportojnë baltën e luftës sonë politike, por ta lënë mënjanë këtë.

E ftoj Bashën që të bëjë bashkë një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi, kur flasim për Shqipërinë jashtë Shqipërisë. Nuk kam fituar unë, nuk ka fituar qeveria, nuk ka fituar PS, por kanë fituar të gjithë shqiptarët.

Shqipëria i ka bollë nëpër Europë ata që duan t’i nxjerrin bishta dhe që nuk e kanë problem t’i vënë shkopinj nën rrota. Nuk ka kuptim që t’u bashkohet qoftë edhe një shqiptar i vetëm”, tha Rama.

Top Channel