Rama dakord me Macron: Ne po kërkojmë negociatat në këtë moment, jo anëtarësimin

18/04/2018 12:01

“Europa thellohet me veten, ne thellohemi me veten”, tha kryeministri Edi Rama i pyetur për qëndrimin e presidentit francez Emmanuel Macron për zgjerimin.

Ai tha se Macron ka të drejtë, pasi Shqipëria në këtë moment nuk po kërkon anëtarësimin, por çeljen e negociatave.

“Franca nuk është skeptike ndaj zgjerimit, ashtu si dhe Gjermania. Macron e ka shpallur pa u bërë president idenë e tij për thellimin e një procesi reformimi të BE-së, gjë që e rimori në fjalimin e djeshëm dhe absolutisht dakord me të. Europa, BE duhet të hyjë në një fazë të re reforme, e për ta thënë me fjalët e tij, duhet të thellohet përpara se të zgjerohet. Ne këtu nuk jemi në ditën që po kërkojmë të bëhemi anëtar po të ulemi në tryezë për të negociuar anëtarësim. Ajo që do i shtoja asaj që tha presidenti Macron është “Europa thellohet me veten, ne thellohemi me veten dhe ecim paralelisht, ne në procesin e negociatave, ata në procesin e reformimit të tyre dhe si dy forca të thelluara takohemi në momentin kur vjen dita e zgjerimit. Sot diskutojmë për negocimin. Mos harrojmë se në Ballkan negociojnë Serbia dhe Mali i Zi dhe është e papranueshëm që pas rekomandimit pozitiv të marrë dje të mos përfshihet në negociatë dhe Shqipëria dhe Maqedonia”, tha Rama.

Top Channel