Negociatat, Rama ftesë Bashës. Mogherini: Rekomandimi, meritë dhe përgjegjësi e të gjithëve

18/04/2018 15:03

“Urime!”, uroi në shqip Federica Mogherini. Në krah të Edi Ramës, nga selia e Kryeministrisë, Federica Mogherini e quajti rekomandimin e Komisionit Europian për të hapur negociatat me Shqipërinë si meritë e të gjithë aktorëve në Tiranë.

“Ky ishte rezultat i një pune kolektive. Duke qenë se ishte rezultat i përbashkët, mendoj se kjo duhet të jetë një ditë e një njohje të përbashkët. Ështe një rezultat i të gjitha institucioneve të vendit”, tha Mogherini.

Edi Rama drejtoi një tjetër lutje në adresë të opozitës, jo si Kryeministër – tha ai- por si shqiptar. “Që të mos bashkëpunojnë me asnjë faktor të huaj politik që për interesat e veta të brendshme, do që ta pengojë Shqipërinë në këtë proces. Unë e ftoj përsëri sot LB, që të bëhemi bashkë, një skuadër kombëtare me fanellën kuqezi”, tha Rama.

Top Channel pyeti shefen e politikës së jashtme të BE-së, nëse klima e brendshme politike në vend, ku opozita bën thirrje për mosbindje civile, vë në rrezik fatin e një përgjigje pozitive të Këshillit në qershor.

“Ky nuk është rezultat i njërës parti apo tjetrës. Ky nuk është rezultat për Qeverinë apo opozitën. Është një rezultat i të gjithë atyre që kanë punuar në dekadën e fundit për të transformuar vendin. Por jo vetëm të marrin meritën por edhe përgjegjësi kur bëhet fjalë për të ardhmen”, u përgjigj zyrtarja e BE-së.

Ndërsa Kryeministrin, Top Channel e pyeti nëse ai është i gatshëm të mbajë përgjegjësi, për skepticizmin që qasja e mazhorancës ndaj çështjes Tahiri, ka krijuar në Gjermani.

“Ka individë që ne i njohim të lidhur ngushtë me PD që ushqetehen rregullisht nga propaganda për të cilën unë fola në fjalën time hyrëse, ashtu sikundër ka ndonjë që ka ardhur ka bërë fushatë kundër nesh në qershorin e kaluar dhe është normale, s’ka asnjë problem. Ne po presim që Prokuroria të rikthehet me të paktën një provë”, tha Rama.

Përtej buzëqeshjeve, disa fjalë të Kryeministrit kryediplomatja e BE-së nuk i gëlltiti, duke reaguar dy herë ndaj etiketimeve të Ramës.

“Komisioni më i pamëshirshëm i provimeve që ekziston në Europë, Komisioni Europian”, tha Rama.

“Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë fjalën e pamëshirshme për punën time. Nuk e marr personale, thjesht për të theksuar se mund ta quani mbështetur në meritë, mund ta quani të rreptë por jo të pamëshirshme”, i tha Mogherini.

“Zgjedhje këtu e zgjedhje atje, prit të mbarojmë zgjedhjet dhe këtë dhe këtë… është bota reale. Nuk jemi duke shkuar në parajsë”, tha Rama.

“Kjo është ajo cfarë kemi dhe është një vend goxha i mirë!”, tha ajo.

Top Channel