FIFA po mendon për një format që do të zëvendësonte Kupën e Konfederatave me një eveniment që do të përfshijë më tepër ekipe në Botërorin e Klubeve dhe do të organizohet rregullisht çdo 4 vite, duke filluar nga viti 2021. Ky ka qenë një prej propozimeve që FIFA u ka nisur federatave kontinentale.
Formati i ri i kompeticionit për klube parashikohet që të ndërhyjë më pak në kalendarin futbollistik, sidomos për ato në Europë.
Propozimi gjithashtu lind edhe nga nevoja ekonomike. Pasi, teksa turneu kryesor i organizuar nga FIFA, Kupa e Botës është jashtëzakonisht fitimprurës dhe gëzon popullaritet të madh, Kupa e Konfederatave dhe Botërori i Klubeve nuk janë edhe aq tërheqëse për tifozët dhe sponsorët.
Gjithashtu edhe për shkak të hendekut të tepruar ndërmjet pjesëmarrësve: në historinë e turneut vetëm klubet nga Evropa apo Amerika e Jugut kanë ngritur kupën që vendos klubin Kampion Bote.
Për këto arsye FIFA është duke studiuar një format për të zëvendësuar Kupën e Konfederatave me një Botëror Klubesh më të zgjeruar, që do të mbahet çdo katër vjet duke filluar nga viti 2021.
Infantino ka njoftuar federatat kontinentale dhe me shumë gjasa trofeu i fituar nga Gjermania në 2017-ën në Rusi do të jetë i fundit i Kupës së Konfederatave.
Top Channel