Gjermania, për negociatat. Krichbaum: Vendimi për Shqipërinë, jo vetëm në bazë të raportit

18/04/2018 12:10

Raportprogresi i Komisionit Europian mbi ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor u prit me entuziazëm në Shqipëri e Maqedoni, dy shtetet për të cilat u rekomandua nisja e negociatave.

Por, reagimet nga Bundestagu gjerman janë më të rezervuara. Pas një takimi, të martën në Berlin, me udhëheqësin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështjet e Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, i tha “Deutsche Welle”-s në edicionin shqip se, rekomandimi i Komisionit nuk do të jetë dokumenti i vetëm që do të merret parasysh, para se Bundestagu të miratojë hapjen e negociatave.

“Perspektiva e Shqipërisë në BE është realiste, – është shprehur ai. – Shqiperia është kandidate, por ne do ta lexojmë me vëmendje raportin e progresit, sepse nuk mjafton vetëm rekomandimi i Komisionit të BE-së për çeljen e kapitujve të anëtarësimit. Ne si Komision i Europës, por edhe unë personalisht dua të konsultoj gjithashtu raportet e tjera për të marrë këtë vendim. Si për shembull, raportin e ‘Transparency International’, raportin e Bankës Botërore dhe raporte të tjera ndërkombëtare”.

“Si grup parlamentar i CDU-CSU-së, – vazhdon Krichbaum, – kemi formuluar nëntorin e përpara dy viteve pika shumë të qarta, e tani duam të dimë sesa janë plotësuar ato. Do të krahasojmë sesa ka ndryshuar situata nga nëntori i vitit 2016 deri në prill të vitit 2018, e vetëm nëse vërejmë se ka pasur përmirësime thelbësore do të miratojmë hapjen e negociatave të anëtarësimit”.

Zyrtari i lartë shton se, mesazhi është i njëjtë për të gjithë: Duhen implementuar reformat, sepse ato nuk realizohen për t’i bërë Berlinit një favor, por për ta çuar përpara vendin.

“Pres në këtë drejtim një luftë më të vendosur ndaj korrupsionit, ndaj krimit të organizuar, ndërsa nevojiten edhe reformat ekonomike, kështu që ka ende shumë punë”, përfundon kreu i grupit më të madh në Parlamentin gjerman.

Top Channel