Një arsye për të buzëqeshur! Milan dhe rinovimi i Cutrones duket se janë një hap larg. Mëngjesin e kësaj të marte, agjentët e sulmuesit Branchini dhe Orgnoni janë takuar me drejtorin sportiv të kuqezinjve, Massimiliano Mirabelli, në selinë e klubit.
Pakti është arritur, futbollisti i talentuar i dalë nga akademia e Milanit do të shënojë rinovimin e tretë brenda më pak se një viti, kur të firmosë deri në vitin 2022 kontratën e tij të re, me opsionin për ta shtyrë edhe me një tjetër vit duke nisur nga korriku i ardhshëm, për të përfituar plot 1.1 mln euro në sezon.
Cutrone ishte zbulimi i vërtetë i Milanit për këtë sezon. Edhe pse e nisi si alternativë e Andrè Silvës, i blerë për 38 mln euro nga Porto, dhe Kaliniçit, i ardhur për 25 mln euro nga Fiorentina, sulmuesi i lindur në vitin 1998 ka ditur të fitojë vendin e titullarit, duke shënuar 15 gola deri tani: 7 në kampionat, dy në Kupën e Italisë dhe 6 në Europa League.
Shifra këto që e kanë shtyrë Milanin të takohet me agjentët e tij për të vijuar edhe më tej bashkëpunimin me një prej produkteve të akademisë.
Por, në listën e Mirabellit nuk është vetëm Cutrone. Siç raportohet nga “Calciomercato.com”, në ambientet e klubit kuqezi është folur edhe për Mattia El Hilali (kapiten i skuadrës Primavera), mbrojtësin e majtë Andrés Llamas, si dhe mbrojtësin e djathtë Raoul Bellanova.
Top Channel