Hapja e negociatave, Meta pret Vlahutinin: Akt inkurajues. Të reflektojmë për sfidat që na presin

17/04/2018 18:08

Presidenti Ilir Meta priti në një takim në Presidencë ambasadoren e Bashkimit Europian në vendin tonë, Romana Vlahutin, me rastin e publikimit të progres-raportit për Shqipërinë nga Komisioni Evropian.

Kreu i Shtetit mirëpriti rekomandimin për çeljen e negociatave dhe e përcaktoi si “akt inkurajues, i shumëpritur dhe strategjik për të ardhmen evropiane të vendit”.

Meta shtoi se ky moment do të sjellë një reflektim “të thellë dhe serioz për përballjen e sfidave të mëdha që kemi përpara”.

Presidenti e vlerësoi Komisionin si një mik të çmuar e të pakursyer të vendeve kandidate, duke u vetëdëshmuar një forcë e madhe tërheqëse drejt zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.

“Duke e konsideruar raportin e progresit për Shqipërinë në harmoni të plotë me strategjinë e zgjerimit që synonte një perspektivë të besueshme dhe angazhim të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë që ka miratimi i kësaj qasjeje dhe rekomandimit të Komisionit nga Këshilli Evropian i qershorit, për të nisur etapën e re të procesit të negociatave të anëtarësimit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që ky raport dhe, posaçërisht rekomandimi për çeljen e negociatave, i gjen të gjithë aktorët politikë, institucionalë dhe qytetarët shqiptarë të bashkuar në dëshirën për të përparuar sa më shumë dhe sa më parë drejt BE-së, pa mëdyshje.

Top Channel