Ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka paralajmëruar bashkitë që të shlyejnë borxhet e prapambetura ndaj bizneseve, pasi në të kundërt qeveria do u presë fondet.

“Të merret seriozisht skediuli i shlyerjes në mënyrë që Ministria e Financave, në emër të qytetarëve, të mos detyrohet të prekë transfertat”, tha ministri Ahmetaj.

Sipas Ministrisë së Financave, aktualisht njësitë vendore kanë mbi 70 milionë euro borxhe të prapambetura ndaj biznesit. Ahmetaj tha se bashkitë duhet t’i gjejnë vetë paratë për të shlyer këto detyrime.

“Nuk do të ketë asnjëherë një fond që ju të paguani detyrimet tuaja të prapambetura, do t’i paguani nga të ardhurat tuaja”, tha ministri.

Kreu i Financave informoi krerët e bashkive se nga 1 prilli duhet ta llogarisin dhe mbledhin taksën e pronës sipas metodës së re që bazohet mbi vlerën e tregut. Ndërkohë qeveria i ka lënë hapësirë bashkive që ta ulin ose rrisin këtë taksë deri në 30 për qind nga vlera bazë.

“Kemi dhënë nëpërmjet ligjit një mundësi shumë të mirë njësive vendore që të mendojnë aty ku ata duhet të lëvizin një 30 përqindsh balancë ulje apo rritje, pa cenuar unitetin ekonomik të vendit”, tha Ahmetaj.

Taksa e banesave do të jetë 0.05 për qind e vlerës së pronës dhe do të mblidhet përmes faturës së dritave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA