Zero pikë në 5 transferta; Wenger, drejt largimit nga Arsenali

16/04/2018 18:23

Me humbjen e së dielës kundër Newcastle, Arsenali po vuan aktualisht një nga ecuritë më negative në transferta në historinë e Premier League.

Skuadra londineze koleksionoi disfatën e pestë në fushë kundërshtare, një kalvar i mundimshëm që nuk e provonte prej vitit 1984 në ligën ishullore.

Skuadra e trajnerit Arsene Wenger i ka humbur të gjitha përballjet jashtë “Emirates Stadium” në vitin 2018, duke shtuar presionin rreth francezit për një dorëheqje të mundshme pas më shumë se dy dekadash në të njëjtin post.

Aktualisht, Arsenali është në vendin e 6, totalisht jashtë objektivave dhe në rrezik real për t’u parakaluar edhe nga Burnley, që përfaqëson vendin e fundit pjesëmarrës në Europa League.

Arsene Wenger po numëron admiruesit e fundit në bordin ekzekutiv të klubit. Vetëm një triumf në Europa League këtë sezon mund t’i garantojë hyrjen e drejtpërdrejt në Champions, e t’i lejojë atij të mbajë vendin e punës përtej të nxehtit të verës.

Hera e fundit që Arsenali koleksiononte 5 ndeshje në transfertë radhazi me zero pikë ishte sezoni 1984-’85. Asokohe, formacioni që drejtohej nga Don Howe e mbylli kampionatin i shtati.

Por, ka ende kohë që Arsene Wenger të shkruajë një tjetër kapitull të errët dhe negativ në histori. Ndeshja e radhës do të jetë kundër Manchester United në “Old Trafford”, një humbje relativisht e pranueshme, veç transfertave të sikletshme me Leicester City dhe Huddersfield.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA