Një protestë paqësore kundër sulmeve ajrore në Siri, nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca, ka degjeneruar në dhunë, pasi protestuesit janë përpjekur të rrëzojnë një statujë të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, Harry S. Truman, në qendër të Athinës.

Ata janë përleshur me policinë, e cila nga ana e saj ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Të paktën 3 protestues u plagosën dhe dy persona u arrestuan.

Protesta është organizuar nga grupe studentësh, që kanë marshuar drejt ndërtesës së Ambasadës së Amerikës në kryeqytetin helen.

Më herët, studentët që lëshonin parulla kundër bombardimeve në Siri dhe pjesëmarrjes së Greqisë në këtë luftë, kanë hedhur vezë dhe bojë të kuqe ndaj Ambasadës franceze dhe ndërtesës ku ndodhen zyrat e BE-së.

Megjithëse të premten e kaluar, kryeministri Alexis Tsipras i ka bërë me dije presidentit francez Macron se, Forcat e Armatosura të Greqisë nuk do të marrin pjesë në një operacion ushtarak në Siri, Partia Komuniste Greke akuzon qeverinë se e ka transformuar vendin në një bazë të NATO-s.

Top Channel