Sulmi në Siri, Trump: Përdorëm fuqinë kundër barbarizmit

14/04/2018 13:16

Ndryshe nga sa ndodhi me Kim Jong un-in, Donald Trump këtë herë nuk u mjaftua vetëm me retorikë: Presidenti amerikan, së bashku me atë francez dhe shefen e ekzekutiv britanik i dhanë dritën jeshile goditjen së tre objektivave në Damask dhe Homs gjatë natës.

Në shënjestrën e bombardimeve u vendos arsenali kimik i regjimit të Bashar al Assadit, përbindëshi që vret njerëzit e vet siç e etiketon shefi i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa sulmi shihet edhe si sfidë direkte e tij ndaj Putinit për mbështetjen e vrasjes masive të të pafajshmeve.

“Kombet e Britanisë, Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përdoren fuqinë e tyre legjitime kundër barbarizmit dhe brutalitetit. Synimi i veprimeve tona sonte është të krijojë një pengesë të fortë kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike”, u shpreh Trump.

Pas tij, ishte Theresa May ajo që sqaroi në një konferencë për shtyp arsyet e këtij vendimi.

“Ne nuk mund të lejojmë që përdorimi i armëve kimike të kthehet në një normalitet brenda Sirisë apo dhe rrugëve britanike. Do të kishim preferuar një zgjidhje alternative, por në këtë rast, nuk ekzistonte një e tillë”, tha Theresa May.

Kryeministrja britanike theksoi se aksioni nuk kishte për qëllim rrëzimin e Assad duke shtuar se ndaj përdorimit të forcës nuk kishte praktikisht asnjë alternativë tjetër. Por pavarësisht kësaj, dy aleatët e Sirisë, Moska dhe Teherani kërcënojnë me shpagim. Ambasadori rus në OKB deklaroi se sulmi nuk do të kaloje kaq lehtë.

Të njëjtat tone përdori edhe ministria e jashtme iraniane, e cila paralajmëron për pasoja rajonale. Moska sqaroi për çdo rast se raketat nuk kanë sulmuar as bazat, as njerëzit dhe as mjetet e saj.

Megjithatë ekspertë të saj të politikes se jashtme si Konstantin Kosatshov, e cilësuan sulmin një shkelje të jashtëzakonshme të së drejtës ndërkombëtare, sepse “është një goditje ndaj një shteti sovran, pa ndonjë shkak ligjor.”

Ndërsa NATO, Izraeli dhe Turqia dolën në mbështetje të sulmeve, që zvogëlojnë sipas aleancës, aftësinë e regjimit sirian për të vazhduar sulmet me armë kimike ndaj popullit të tij. Kjo valë bombardimesh përbën goditjen më të qenësishme ndaj qeverisë së Bashar al Assadit nga fuqitë perëndimore në shtatë vite lufte civile që kanë gjunjëzuar vendin.

Ajo vjen si përgjigje ndaj sulmit të dyshuar kimik në Douma javën e kaluar. Siç sqaroi gjenerali Joseph Dunford në Pentagon, tre ishin shënjestrat e goditura:
• Një qendër kërkimi shkencor në Damask që supozohet të jetë e lidhur me prodhimin e armëve kimike dhe biologjike
• Një depo armësh kimike në perëndim të Homsit
• Një depo pajisjesh për armë kimike dhe pikë e rëndësishme komande po pranë Homsit

Damasku zyrtar pretendon se gjithsej janë lëshuar gati 30 raketa, një e treta e të cilave janë goditur nga sistemet e tij te mbrojtjes antiajrore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA