E gjithë linja politike shqiptare ka dalë në krahë të SHBA-së për sulmet ndaj Sirisë.

Presidenti Ilir Meta reagoi për sulmet në Siri dhe tha se Shqipëria është në krah aleatëve perëndimorë. “Mbështesim ndërhyrjen ushtarake të SHBA, Francës e Britanisë ndaj arsenalit kimik të regjimit kriminal të Asadit.

Jemi në krah të aleatëve tanë dhe mbështesim vendosmërinë e Presidentit Trump në mbrojtje të jetëve të njerëzve dhe të të drejtave të njeriut”, thotë në reagimin e tij Presidenti Meta.

Mbështetje erdhi edhe nga Qeveria që reagoi përmes Ministrisë së Jashtme. “Sulmet nga SHBA, Britania e Madhe dhe Franca janë një përgjigje në kohë ndaj përdorimit, për të disatën herë, të armëve kimike nga regjimi sirian, akt që përbën një krim të rëndë, shkelje të normave ndërkombëtare dhe si e tillë duhet të dënohet”, thekson Ministria e Jashtme.

Pro ndërhyrjes ushtarake të aleatëve perëndimorë është shprehur edhe Partia Demokratike, që e vlerëson si plotësisht legjitime ndërhyrjen e ushtarake të SHBA, Britanisë dhe Francës.

Edhe LSI e quajti ndërhyrjen si mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të sigurisë ndërkombëtare. Të njëjtën qasje me Shqipërinë patën edhe institucionet dhe partitë politike në Kosovë.

Top Channel