PD: Përdhosja e memorialit të Azem Hajdarit, frymëzuesit tek Kryeministri

13/04/2018 22:04

Me anë të një deklarate për mediat, Partia Demokratike ka njoftuar se memoriali në kujtim të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, “është përdhosur sot me shkarravinën-parullë “Rroftë Enver Hoxha”.

Partia Demokratike dënon me forcë këtë akt, duke shprehur bindjen se “frymëzuesit janë tek kryeministri që drejton vendin me metoda autoritariste dhe që shfaqet kudo me yllin e kuq bolshevik, të qepur në xhaketë”.

Më tej në deklaratë thuhet se memoriali i Azem Hjadarit është dhunuar nga ata që mohojnë genocidin, kampet e torturave, glorifikojnë me emra rrugësh kriminelët dhe mbajnë yllin e kuq si simbol.

“PD dënon rilindjen nga qeveria narko-enveriste e Edi Ramës të simboleve, mentalitetit dhe praktikës së diktaturës enveriste! Ëndrra e dikurshme e Edi Ramës kryebashkiak për ta trajtuar Memorialin e Azem Hajdarit si një “lapidar pa leje që duhet shembur”, do të kthehet në makthin e një kryeministri që s’ka gardist që e mbron, nëse fajtorët e këtij provokimi të pafalshëm nuk vendosen para përgjegjësisë”, mbyllet deklarata e PD.

Top Channel