Prej vitesh, banorët e zonave rurale të rrethit të Vlorës vuajnë menaxhimin e mbetjeve urbane. Mungesa e një landfilli detyron banorët që mbetjet t’i depozitojnë anës lumenjve dhe rrugëve.

Në fshatin Babicë nuk ka as kosha dhe banorët e harrojnë se kur ka qenë hera e fundit që kanë parë punëtorë pastrimi. Shpesh, i djegin vetë mbetjet duke rrezikuar shëndetin me tymin që lëshohet.

Plehrat grumbullojnë edhe qentë dhe banorët thonë që shpesh herë ata bëhen agresivë në një territor që e konsiderojnë të vetin dhe sulmojnë fëmijë që shkojnë rrugës për në shkollë.

“Nuk kalojmë dot nga qentë. Po nuk vunë kazanë, nuk zgjidhet kjo punë. Kemi frikë për fëmijët, pasi ka pasur raste që qentë i kanë sulmuar ata”, shprehen banorët.

Reforma territoriale i ka vënë ish-komunat, tashmë njësi administrative, nën Bashkinë e Vlorës. Kreshnik Lila, drejtori i Agjensisë Rajonale të Mejdisit Vlorë, thotë: “Do të ngrihen grupe pune për pastrimin dhe një nga problemet kryesore është ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe subjekteve që nuk duhet më të hedhin mbetje në zonat e pamiratuara. Do të merren masa për qytetarët dhe subjektet që vazhdojnë të hedhin mbetje aty ku nuk duhet”.

Qyteti i Vlorës ka një firmë që grumbullon mbetjet, por në zonat rurale banorët i hedhin mbeturinat kudo, pasi nuk ka vende të përcaktuara. Në pritje të grupeve të punës, plehrat do të vazhdojnë të hidhen vend e pa vend në kanale e lumenj, për të përfunduar më pas në det.

Top Channel