Vetëm 1 pikë i ka mjaftuar Teutës për të fituar finalen e Superkupës së Basketbollit për meshkuj kundër Tiranës, në përballjen e zhvilluar në Pallatin e Sportit të Durrësit, “Ramazan Njala”.
Sfida ka pasur gjithçka brenda, emocione dhe rivalitet të lartë sportiv, por në fund rezultoi dramatike, pasi u desh të priteshin sekondat e fundit për të zbuluar fituesit. Ata nuk ishin bardheblutë, ashtu siç ishte parashikuar në fillimin e kësaj finaleje.
Kjo ishte humbja e parë për Tiranën në këtë sezon, skuadër e cila nuk e kishte provuar një gjë të tillë as në kampionat dhe as në kupë. Të vetmen disfatë, bardheblutë e kishin “në tavolinë”, pikërisht dueli i derbit me Partizanin që u ndërpre.
Paraqitja e Teutës në këtë finale ishte fantastike. Në periodën e fundit, durrsakët udhëhiqnin me 7 pikë, ndërkohë që përpjekjet e Tiranës për të rikuperuar shkuan deri në një pikë diferencë, pa mundur ta barazojnë lojën, madje duke shpërdoruar edhe dy raste në fundin e takimit që mund t’i sillnin fitoren.
Megjithatë, bardheblutë nuk kanë dalë tërësisht pa trofe në finalet e Superkupës. Detyrën për skuadrën nga kryeqyteti e bën ekipi i femrave, i cili mundi Flamurtarin bindshëm me shifrat 72-59. Ndryshe nga ndeshja e meshkujve, ky ishte një takim krejtësisht i merituar për vajzat e Tiranës, që e dominuan lojën në të katërta periodat.
Top Channel