Siguria, bllokohen 1187 kg bulmet në tregun agroushqimor të Tiranës

12/04/2018 11:13

AKU ka bllokuar rreth 1187 kg bulmet në tregun agroushqimor të Tiranës për tregtim të pasigurtë.

Bëhet fjalë për djathë të bardhë lope, kaçkavall dhe gjizë në pikën e shitjes së Mariglen Zenelaj në këtë treg.

Tregu Agroushqimor përgjatë rrugës Tiranë-Durrës ka qenë subjekt inspektimi nga ana e drejtorisë së përgjithshme të AKU dhe asaj rajonale të Tiranës.

“Nga kontrolli ka rezultuar se produktet djathëi bardhë lope nëfuçinë me sasi 440 kg, djathë dele në sasinë e 250 kg, djathi kaçkavall në sasinë e 137 kg dhe një sasi gjize prej 360 kg rezultuan pa etiketë dhe në mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë. Për këto gjetje trupa inspektuese e AKU-së, ka marrë mostra për analiza, ku tre nga katër këto produkte të bulmetit rezultuan mbi ngarkesën e lejuar mikrobiologjike. Për mungesë të etiketës dhe gjurmueshmërisë, rezultateve të analizave mbi normë të ngarkesës mikrobiologjike të produkteve të bulmetit dhe tregtim të produkteve të pasigurta në treg, nga trupa inspektuese e AKU-së ndaj subjekt u mor masa administrative me gjobë me vlerën e 500 mijë lekëve si dhe bllokimi i produkteve të bulmetit”, thuhet në njoftimin e AKU.

Ndërkohë AKU po merr masat për asgjësimin e këtyre produkteve, sipas mënyrave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi, për mbrojtjen e mjedisit nga operatori i biznesit ushqimor që ka kryer shkeljen.

Top Channel