Mbrojtësi i Realit të Madridit Sergio Ramos rrezikon të pezullohet për gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Kapiteni i formacionit të ‘Los Blankos’ që mungoi në përballjen epike të stadiumit Santiago Bernabeu për shkak kartonash, zbriti në tunelin e impiantit dhe në pankinë para fundit të ndeshjes ndaj torinezëve zonë e ndaluar për të skualifikuarit.
Sesa peshon Sergio Ramos në prapavijën e Realit, kjo u duk edhe në 90 minutëshin elektrizues që galaktikët humbën 3-1 ndaj Juventusit, e ndoshta me kapitenin në fushë do të kishin më shumë siguri në mbrojtje. Mbetet për tu parë se çfarë ka raportuar vëzhguesi i ndeshjes dhe arbitri për zbritjen e palejuar të spanjollit në tunelin e stadiumit. Nëse kjo është shënuar, Sergio Ramos do të pezullohet në bazë të nenit 11 të kodit disiplinor të UEFA-s.
Por jo vetëm kaq. Kapiteni i ‘Los Blankos’ rrezikon një dënim të dytë edhe për polemikat me trajnerin Massimiliano Allegri. Në bazë të konfliktit ishte penalltia kontroverse në kohën shtesë për padronët e shtëpisë. Në një situatë hipotetike me dy pezullimet e Sergio Ramos, trajneri Zidan do të ketë mundësi të përdorë kapitenin vetëm nëse Real madrid arrin në finalen e Champions.
Top Channel