Veliaj: Në verë, i gjithë Parku i Madh do jetë i aksesueshëm

11/04/2018 12:14

I gjithë Parku i Madh do të jetë i aksesueshëm për publikun, teksa dhe hapësira jugore e Liqenit Artificial të Tiranës është pyllëzuar dhe gjelbëruar.

Veliaj tha se kjo zonë është pastruar nga të gjitha ndërtimet pa leje, është sistemuar dhe tashmë me gjelbërimin dhe korsitë e reja për vrapuesit dhe biçikletat krijon mundësinë që Parku të shfrytëzohet nga të gjithë.

“Jemi duke qëndisur gjysmën jugore të liqenit të Tiranës. E kemi pastruar nga zaptimet dhe pengesat që kanë ndërprerë zhvillimin e kësaj hapësire. Për të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë investim të ri, që është ende kantier, është e pabesueshme se sa i madh qenka realisht Liqeni dhe besoj se është detyrim i gjeneratës sonë të lerë një ‘pajë’ për gjeneratën tjetër. Po vijojmë “qëndismën” duke filluar nga diga deri tek ekstremi tjetër i liqenit. Besoj se kjo do të jetë vera e parë ku qytetarët do e shijojnë në tërësinë e vet liqenin e Tiranës. Ndërkohë, po përgatisim parkun e dytë, atë të Liqenit të Farkës, për të pasur edhe një tjetër hapësirë argëtimi e çlodhjeje për qytetarët”, tha Veliaj.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për të mbjellë pemën e tyre dhe për të kontribuuar për gjelbërimin e qytetit.

“Deri në datën 22 prill, në Ditën e Tokës, kemi mundësi të mbjellim pemë, më pas do vijojmë me aktivitete sportive dhe besoj që një Tiranë që është më e fokusuar tek puna, se sa tek dhuna, më e fokusuar tek gjërat konkrete se sa tek gjithologët, është Tirana që meriton çdo banor që ka zgjedhur ta jetojë jetën e vet në kryeqytet”, shtoi Veliaj.

 

Top Channel