LSI do të jetë në seancë, Vasili: Përballë qeverisë dhe kryeministrit

11/04/2018 15:11

LSI do të jetë e pranishme në seancën parlamentare të së enjtes, sipas kreut të grupit Petrit Vasili. Ai foli për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit.

“Së pari grupi vendosi unanimisht pjesëmarrjen në seancën e Parlamentit të Shqipërisë për të qenë në sallë ballë për ballë me kryeministrin, atë kryeministër i cili do ta ketë të vështirë ti drejtohet popullit që ka synuar ta poshtërojë me fjalët e tij të paprecedentë. Gupi parlamentar do të jetë atje për t’u përballur me qeverinë dhe kryeministrin”, tha Vasili.

Ai ka përshëndetur protestën e bizneseve të vegjël, të cilët i quajti “biznese të mbijetesës”. Vasili shtoi më tej se LSI nuk do të resht deri në lirimin e protestuesve.

“Do kërkojë me të gjitha format institucionale, për gjetjen, ndjekjen dhe vënien para drejtësisë dhe dënimin shembullor të të gjithë atyre që kanë urdhëruar arrestimin arbitrar, dhe nga më skandalozët në thyerje të plotë të ligjit dhe tendencën për të kthyer kohët e shëmtuara të sigurimit të shtetit dhe duke manipuluar aktet zyrtare. Ky është një akt i patolerueshëm”, tha ai.

Top Channel