Komentet e Presidencës, reagon Freedom House: S’jemi institucion partiak

11/04/2018 21:09

Freedom House ka reaguar të mërkurën pas komenteve nga presidenca shqiptare lidhur rreth raportit të publikuar nga organizata.

Të kontaktuar nga Zëri i Amerikës, drejtori i Komunikimit në këtë organizatë ka theksuar se Freedom House është një institucion jopartiak dhe konkluzionet e saj pasqyrojnë analizat që ajo bën vetë.

Në raportin e saj vjetor, organizata thoshte se lufta kundër korrupsionit mori një goditje me zgjedhjen e zotit Meta në krye të vendit me votat e Partisë Socialiste.

Zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi shprehu keqardhje, duke thënë se raporti i Freedom House është keqpërdorur “në funksion të axhendave të njëanshme politike në Shqipëri”

Ja reagimi i plotë i Drejtorit të Komunikimit në këtë organizatë, Robert Ruby:
“Ne inkurajojmë të gjitha palët ta lexojnë të gjithë raportin, i cili përfshin shqetësime të hollësishme rreth korrupsionit dhe kapjes së shtetit në Shqipëri mes aktorëve të shumtë në sferën politike, rreth përparimit të ngadalshëm në krijimin e institucioneve të nevojshme për luftën kundër korrupsionit dhe rreth një kornize të pamjaftueshme për të siguruar pavarësinë e këtyre institucioneve. Freedom House është një institucion jopartiak dhe konkluzionet e saj pasqyrojnë analizat që ajo bën vetë.”

Top Channel