“Cicërima” para raketave, Trump sfidon Rusinë: Përgatitu se po vijmë!

11/04/2018 13:20

“Twitter”-i është platforma e preferuar e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, aty ku shprehet për gjithçka dhe përpara të gjithëve.

“Cicërima” më e fundit e tij, këtë të mërkurë, vjen në kohën kur shumë pikëpyetje janë ngritur mbi atë që shumë prej rivalëve të tij demokratë e cilësojnë si skadim i afatit për “kundërpërgjigjen e ashpër” ndaj “kafshës Assad” që përdor armët kimike ndaj popullit të tij.

E duke sfiduar Moskën, që sipas tij është zotuar të rrëzojë çdo raketë të lëshuar drejt Sirisë, Trump fton Rusinë të bëhet gati.

“Ato do të vijnë, të këndshme, të reja dhe më “të zgjuara” se kurrë më parë!”, shprehet presidenti amerikan, në atë që duket si “dritë jeshile” ndaj sulmeve ajrore mbi Sirinë.

“Ju nuk duhet të jeni partnerë me një kafshë që vret përmes gazit nervor popullin e tij dhe kënaqet me atë që bën”, vijon statusi i Trumpit.

Siria, si dhe aleati më i madh i Assadit, Rusia kanë këmbëngulur se nuk ka ndodhur një sulm me armë kimike, duke theksuar njëkohësisht se këto armë zotërohen vetëm prej grupeve të cilësuara prej tyre si “terroriste”.

Duke reaguar ndaj njoftimit të Trumpit në “Twitter”, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova tha se sulmi me raketa do të minonte punën e inspektorëve ndërkombëtarë, që kërkojnë të ekzaminojnë vendin e sulmit të dyshuar me agjentë nervorë.

“Raketat ‘e zgjuara’ duhet t’u drejtohen terroristëve dhe jo qeverisë legjitime, e cila po lufton prej kohësh me terroristët”, shkruan Zakharova në Facebook. “Mos vallë ky është një truk për të shkatërruar me anë të raketave, gjurmët e sulmit kimik në mënyrë që të mos mbetet asnjë provë për t’u shqyrtuar nga inspektorët ndërkombëtarë?”, hedh dyshime Zakharova.

Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i pyetur mbi komentin gjatë seancës informuese me reporterët, të mërkurën, nuk përsëriti asnjë paralajmërim. Ai e përshkroi situatën në Siri si “tejet të tensionuar”, por refuzoi të specifikonte nëse Moska do t’iu përgjigjej sulmeve ajrore amerikane kundër aleatit të saj, Assad.

Ndërkohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, gjenerali Valery Gerasimov deklaroi se ushtria ruse do të kundërpërgjigjet, nëse sulmet ajrore amerikane do të rrezikojnë jetët e oficerëve rusë në Siri.

“Lidhur me pyetjen se çfarë do të ndodhë në rast të një sulmi ajror të këtij apo atij, së pari dëshirojmë që të gjitha palët të shmangin hapat që, as nuk janë të provokuara nga diçka në realitet dhe aq më keq, do të destabilizonin edhe më tej situatën e nderë tashmë në rajon”, tha Peskov.

Ndërkohë, mbi Siri duket se ka filluar efekti i paralajmërimit të lëshuar nga “EuroControl” për të gjitha linjat ajrore, që të shmangnin fluturimet mbi hapësirën siriane.

Top Channel