Banka Botërore konfirmoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.8 për qind vitin e kaluar e mbështetur nga investimet private dhe rritja e konsumit.
“Rritja ekonomike është forcuar, papunësia ka rënë dhe pjesëmarrja në tregun e punës është rritur. Pra, ka patur disa lajme pozitive, por Qeveria duhet të vazhdojë thellimin e reformave që ka në proces”, deklaroi Maryam Salim, drejtore e BB për Shqipërinë.
Për shkak të rritjes së punësimit vitin e kaluar popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë u ul me 1.1 për qind, duke nxjerrë 30 mijë vetë nga varfëria. Por Banka parlajmëroi se rritja ekonomike do të ngadalësohet këtë vit.
“Kjo si rezultat i maturimit të investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë, konkretisht TAP-i dhe Hidrocentrali i Devollit”, u shpreh Hilda Shijaku, kryeekonomiste e BB për Shqipërinë.
Ndaj Banka i kërkoi Qeverisë të përmirësojë klimën e biznesit dhe të ulë borxhin e lartë publik, i cili kërcënohet edhe nga koncesionet.
“Në Shqipëri duhet të forcohet transparenca e koncesioneve. Të bëhet e qartë cila është strategjia e Qeverisë për investimet dhe cilat janë prioritetet. Gjithashtu duhet të forcohet mënyra se si përzgjidhen projektet që jepen me PPP dhe mënyra se si menaxhohen këto kontrata”, këshillon Banka Botërore.
Veç rezervave për koncesionet, Banka Botërore u shpreh skeptike edhe për shtrirjen e TVSH-së tek biznesi i vogël, ndërkohë që mbështeti pagesën në rrugën Durrës-Kukës.
“Ne mendojmë që efekti në buxhet i kësaj të ardhure do të jetë i vogël, ndërkohë që barra administrative për organet e taksave do të jetë e lartë”, deklaroi kryeekonomistja e BB për Shqipërinë.
“Pagesa për këtë rrugë është rreth nivelit mesatar të rajonit. Që në fillim është përcaktuar edhe në kontratën e koncesionit të ketë një mekanizëm lehtësues për përdoruesit e shpeshtë. Vetë Kryeministri tha se po shikohet se sa do të jetë pagesa për banorët që jetojnë në zonën përreth. Ndërsa, përsa i përket bërjes së rrugës me pagesë, çdo vend në rajon dhe përreth botës ka rrugë me pagesë, e cila shërben për të mirëmbajtur dhe ndërtuar rrugë të reja”, u shpreh drejtorja e BB për Shqipërinë, Maryam Salim.
Top Channel