Përplasja e presidentit Donald Trump me prokurorin special Robert Mueller arriti “pikën e vlimit” ditën e martë, kur zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë deklaroi se kreu i Shtëpisë së Bardhë ka të gjithë autoritetin ligjor për të shkarkuar kryehetuesin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Republikanët e shqetësuar nga irritimi i presidentit, i shfaqur publikisht dhe privatisht, kërkuan me çdo kusht ta qetësonin atë, duke iu frikësuar një serie shkarkimesh të stilit “Nixon”, “masakra e së shtunës mbrëma”.
Ligjvënësit republikanë kanë frikë se shkarkimet e Muellerit, kryeprokurorit Jeff Sessions dhe zv.prokurorit të Përgjithshëm, Rod Rosenstein do të shkaktonin kaos në Uashington, e do t’u jepnin një goditje të fortë shpresave të republikanëve për ruajtjen e shumicave në të dyja dhomat e Kongresit.
Kreu i Komitetetit të Gjyqësorit në Senat, Chuck Grassley (republikan nga Ioëa) deklaroi gjatë një interviste në CNN të martën se, “shkarkimi i tij do të ishte një vetëvrasje për presidentin”.
“Pikëpamjet e mia i kam bërë publike dhe shpresoj që ai (Trump) të na dëgjojë neve kur themi se do të ishte një gabim i pafalshëm”, tha kreu i grupit parlamentar republikan në Senat, John Cornyn, nga Teksasi.
Ndërkohë, kryetari i shumicës në Senat, Mitch McConnel (republikan nga Kentucky) këmbënguli se ligji për mbrojtjen e Muellerit ishte i panevojshëm, pasi mendjet e ftohta do të mbizotërojnë.
“Nuk kam parë as edhe një provë të vetme të qartë, ende, se neve do të na duhet të miratojmë diçka speciale për ta mbrojtur atë nga shkarkimi, sepse nuk mendoj se diçka e tillë do të ndodhë. Kjo ka qenë dhe mbetet pikëpamja ime”, tha McConnel për reporterët e pranishëm. “Ende mendoj se Mueller duhet lejuar ta përfundojë punën e tij. Mendoj se këtë pikëpamje ndajnë edhe shumica e të tjerëve në Kongres”.
Ajo që shkaktoi krizën më të fundit mbi hetimin e Muellerit ishte pikërisht “furia” e Trumpit ndaj mësymjes së FBI-së gjatë së hënës në shtëpinë dhe zyrat e Michael Cohen, avokatit të tij personal.
Top Channel