Qeveria ka nisur zyrtarisht diskutimet me qytetarët e Kukësit për uljen e pagesës së kalimit në Rrugën e Kombit.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se për banorët lokalë tarifa do të jetë e arsyeshme.

“Folëm për tarifën e rrugës dhe në emër të Kryeministrit u kam premtuar që do të jetë një paketë shumë racionale dhe shumë e mirë për qytetarët e zonës Tropojë, Has e Kukës”, deklaroi Ahmetaj.

Veç diskutimeve me qytetarët për tarifën e rrugës, kreu i Financave është takuar edhe me bizneset e zonës që hyjnë për herë të parë në skemën e TVSH-së.

“Informova sipërmarrjen për atë që jemi duke bërë me biznesin e vogël. I sqarova që është një procedurë e thjeshtë, që nuk ka ngarkesë të re fiskale, që nuk ka gjoba për deklarim të gabuar deri në fund të vitit 2018”, tha Ahmetaj.

Sipas të dhënave nga Tatimet në qytetin e kukësit janë rreth 64 biznese, të cilat do të hyjnë për herë të parë në këtë skemë.

Top Channel