Vetmia e madhe e Rusisë! Këshilltari i Putinit: Po shkojmë drejt izolimit gjeopolitik

10/04/2018 11:10

Rusia, sipas këshilltarit veteran të Vladimir Putinit e ka braktisur tashmë shpresën e saj shekullore për integrim me Perëndimin, e po përgatitet për një periudhë të re izolimi gjeopolitik.

Në artikullin e tij për “Global Affairs”, Vladislav Surkov thotë se udhëtimi epik i Moskës drejt Perëndimit ka përfunduar, duke shënuar kështu fundin e përpjekjeve të vazhdueshme të saj në 4 shekuj për t’u bërë pjesë e civilizimit perëndimor.

Pohime të tilla u bëjnë jehonë atyre të presidentit rus, i cili u përpoq fillimisht të farkëtonte lidhje më të ngushta me Perëndimin pas zgjedhjes për herë të parë në vitin 2000, por më vonë i rriti ndjeshëm tonet kritike ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre të NATO-s.

Putin pretendon se është Perëndimi, ai që i ka mbyllur Moskës dyert e bashkëpunimit, e se po përpiqet ta margjinalizojë e dobësojë vendin e tij.

Marrëdhëniet janë sot në pikën e tyre më të ulët që prej periudhës së Luftës së Ftohtë, e kjo ka ardhur si shkak i vendimit të Rusisë për ta aneksuar Krimenë, mbështetjen e saj për separatistët prorusë në lindje të Ukrainës, rolin në luftën e Sirisë dhe helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal, në Britani.

Vetmia e madhe e Rusisë justifikohet nga Surkov me një thënie të vjetër të përdorur në vend: Shteti ka vetëm dy aleatë, ushtrinë dhe marinën. Edhe pse këmbëngul të tregojë se nuk bëhet fjalë për një izolim të përgjithshëm, këshilltari i lartë i Putinit lë të kuptohet se bashkëpunimi rus do të kufizohet dukshëm në të ardhmen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA