Presidenti kinez, Xi Jinping ka paralajmëruar kundër një mentaliteti të Luftës së Ftohtë, ndërsa premtoi se do të hapte pjesë të ekonomisë së vendit.
Në fjalimin e tij të mbajtur në një forum aziatik, të njohur edhe si “Davosi” i Azisë, ai duket se bëri një përpjekje për të zbutur mosmarrëveshjet tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Ai premtoi se do të reduktonte tarifat e importit mbi makinat dhe do të zbuste kërkesat për kompanitë e huaja që duan të investojnë në Kinë.
Sidoqoftë, ai nuk dha detaje se kur do të ndodhnin këto ndryshime.
Xi Jinping nuk bëri referenca specifike ndaj përplasjes me Uashingtonin, por në një referim të kamufluar ndaj politikës “Amerika e para” të Donald Trumpit, ai foli për hapje.
“Shoqëria njerëzore është përpara një zgjedhjeje të rëndësishme. Të hapet, apo të mbyllet; të ecë përpara, apo prapa. Në botën e sotme, tendenca e paqes dhe bashkëpunimit po avancon dhe mentaliteti i Luftës së Ftohtë është i vjetëruar”, tha ai.
Presidenti Trump, që planifikon të godasë me taksa qindra produkte kineze, ka ndezur frikën për një luftë tregtare. Uashingtoni beson se Kina ka dështuar të përmbushë premtimet e mëhershme për të hapur ekonominë e saj.
Top Channel