Për rreth një orë, bizneset e vogla ulën qepenat si protestë kundër futjes se tyre në sistemin e Taksës mbi Vlerën e Shtuar. Ata kërkojnë që Qeveria të dëgjojë kërkesat e tyre.
“Po na grabisin! Ky e kishte tepsi llamarine, tani e do tepsi floriri. Të fusësh në TVSH një dyqan 2×2?! Çfarë do të nxjerrësh me këtë, s’e marrim vesh?! Nuk duam stres, nuk duam taksa të larta! Jemi drejt falimentimit”, thotë tregtarët.
Protestës së tregtarëve të vegjël iu bashkuan edhe përfaqësues të opozitës, por tregtarët kërkojnë që të mos politizohet çështja.
Aldo Bumçi, PD: Kjo situatë ka ardhur nga një vendim qeverie, atëherë kjo zgjidhet politikisht.
Tregtare: Ne duam që politikanët të na lënë të qetë të punojmë.
Pikërisht ndasitë politike përçanë dhe tregtarët mes tyre, pasi pati nga ata që nuk i mbyllën qepenat.
“Unë jam dakord të protestoj për TVSH-në, por nuk protestoj për Lulzim Bashën, sepse ai ka vjedhur 230 mln euro në Rrugën e Kombit dhe del tani e thotë të mos paguhet Rruga e Kukësit”, deklaroi njëra prej tregtareve që refuzuan mbylljen e dyqanit.
Protesta e Shoqatës së Biznesit të Vogël u shtri edhe në tregjet tjera të Tiranës, ku tregtarët mbyllën qepenat për një orë.
Ngritja e pragut të TVSH është kusht i padiskutueshëm dhe Shoqata paralajmëron përshkallëzim të protestës, por ajo që kërkojnë është më shumë solidaritet.
“Të gjithë bizneset sot duhet të ishin solidarizuar një orë, duke nisur që nga furrat e bukës, që nga farmacitë, sepse të gjithë do ta ndjejnë këtë. Po e ndjejmë ne dita-ditës dhe jemi drejt falimentimit. Nuk ka punë. Janë hallakatur njerëzit”, thonë tregtarët.
Top Channel