Ditën kur mijëra biznese të vogla në mbarë vendin protestuan duke mbyllur qepenat për përfshirjen në skemën e TVSH-së, ministri i financave ka lëshuar një thirrje ndaj tyre.
“Mos i mbyllni qepenat as pesë minuta për të furnizuar një ego të sëmurë politike të bazuar në tokën e djegur, siç e keni parë ndër vite të një force politike që s’ka lidhje me ju”, deklaroi ai.
Ahmetaj akuzoi opozitën se po mashtron biznesin për të përfituar politikisht. Sipas tij, futja në TVSH nuk e ngarkon biznesin e vogël me taksa shtesë.
“Në këtë shishen e ujit këtu, TVSH ka qenë gjithmonë pjesë e çmimit final. Edhe në biznesin e vogël njësia ka qenë e përjashtuar nga deklarimi, por malli dhe shërbimi e ka patur në koston finale TVSH-në”, shtoi ministri.
Vendimi i qeverisë që ul pragun e xhiros mbi të cilën paguhet TVSH nga 5 milionë lekë në vit në 2 milionë lekë, detyron 9970 biznese të vogla të hyjnë për herë të parë në skemë. Sipas Ahmetajt, duke futur biznesin e vogël në TVSH, Qeveria ka mundësi të kontrollojë faturat që lëshon biznesi i madh.
“Thelbi i punës tonë nuk është dyqani 20 metra katrorë, apo kafja poshtë shtëpisë. Thelbi i punës sonë është biznesi i madh dhe bizneset që shtiren tëvogla kur nuk janë ashtu”, u shpreh Arben Ahmetaj.
Kjo është hera e dytë brenda 10 viteve që qeveria ul kufirin e TVSH. Në 2009-ën qeveria e Partisë Demokratike e uli pragun e xhiros nga 8 mln në 5 milionë lekë në vit duke futur mbi 18 mijë biznese të reja në skemë.
“Ja ku është fakti ku vendimi i qeverisë është bërë nga ata që sot bëjnë sikur qajnë për biznesin e vogël. Ata që sot tentojnë të gënjejnë në humbëtirën e tyre politike”, akuzoi Ahmetaj.
Kreu i Financave deklaroi se tatimet nuk do të vendosin gjoba ndaj biznesit të vogël deri në fund të vitit dhe tha se Qeveria nuk ka ndërmend të japë mbledhjen e TVSH-së me koncesion.
Top Channel