Erion Veliaj u vlerësua në Bruksel si kryebashkiaku më miqësor në Europë me komunitetin rom. Ky çmim iu dha kreut të bashkisë nga Komisioni Europian, si vlerësim të politikave vendore për komunitetin rom që ka ndërmarrë institucioni që ai drejton. Veliaj thotë se pas një pune të vështirë, ky komunitet jeton më mirë.
“Sot përtej histerisë janë akomoduar në vende shumë më komode duke vazhduar pastaj tek çështje të arsimit ndihmës ekonomike. Jam krenar për të gjithë qytetarët e Tiranës që janë mendjehapur dhe të emancipuar që e kuptojnë se nëse ne si qytetarë nuk pranojmë ata që janë pak më ndryshe nga ne s’mund të presim që BE të na pranojë ne shqiptarët që na sheh si pjesë më ndryshe dhe një pjesë afrohet tani me BE”, tha Veliaj.
Ky çmim sipas Veliajt, është një vlerësim jo vetëm për qytetaret e Tiranës, por edhe shqiptarët në përgjithësi sa i takon integrimit europian të vendit.
“Duke dhënë shembullin sesi sillemi si europian brenda Tiranës dhe Shqipërisë kemi gojë të kërkojmë që ne të avancojmë në rrugën tonë në BE, tani me statusin kandidat që përkthehet në hapjen e negociatave për anëtarësim”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku i Tiranës vlerësohet me këtë çmim pas fushatës së nisur nga Komisioni Europian dhe OJF në vende të ndryshme për fuqizimin e komunitetit rom në Ballkan dhe Turqi.
Top Channel