Sulmi në Homs, Pentagoni heq përgjegjësinë. Siria “akuzon” Izraelin?

09/04/2018 10:39

Pentagoni i mohoi pretendimet siriane se ishin Shtetet e Bashkuara, ato që mësynë bazën ajrore të Homsit, disa orë pasi presidenti Donald Trump shkroi në “Twitter” se “kafsha Assad” do ta paguajë shumë shtrenjtë sulmin e supozuar me armë kimike në Douman e kontrolluar prej rebelëve.

Agjencia shtetërore e lajmeve pretendon se, mbrojtja antiajrore siriane neutralizoi 8 raketa të lëshuara drejt bazës “Tiyas”, apo “T-4” siç njihet ndryshe, një objekt strategjik ndërmjet Homsit dhe Palmirës në perëndim të vendit.

Mediet e regjimit sirian flasin për 14 të vrarë e të plagosur, pas goditjes së aeroportit ushtarak, e disa raporte nga rajoni madje tregojnë se raketat e përdorura ishin ato amerikane “Tomahawk”.

Vet Damasku deklaroi se në incident është përfshirë Perëndimi, por Shtetet e Bashkuara dhe Franca, megjithëse paralajmëruan se do t’i përgjigjeshin sulmit në Douma, mohojnë shënjestrimin e bazës ajrore.

“Në këtë moment, Departamenti i Mbrojtjes nuk po kryen sulme nga ajri në Siri. Megjithatë, ne do të vazhdojmë ta ndjekim nga afër situatën dhe të mbështesim përpjekjet diplomatike për t’i veshur me përgjegjësi ata që përdorin armë kimike në këtë vend e gjetkë”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.

Izraeli, i cili ka goditur në disa raste më parë shënjestra siriane, nuk ka bërë asnjë koment mbi ngjarjen.

Për momentin nuk është e qartë se çfarë masash ndëshkuese kishte ndërmend Trumpi me mesazhet e tij kërcënuese në “Twitter”, por çështja pritet të diskutohet në takimin e një grupi të ngushtë pjesëtarësh të Këshillit të Sigurisë, i cili do të drejtohet nga John Bolton në ditën e tij të parë të detyrës si këshilltar i Sigurisë Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel