14 persona kanë humbur jetën pasi një aeroport ushtarak në Siri u vu nën sulm me raketa. Mediat shtetërore siriane thanë se disa raketa goditën bazën ajrore Tiyas, në afërsi të qytetit të Homsit, në orët e para të së hënës.
Detajet nuk janë bërë ende të ditura dhe nuk thuhet as kush është përgjegjës i këtij sulmi, që pason alarmin ndërkombëtar mbi një sulm të dyshuar kimik në qytetin e Doumas, që kontrollohet nga rebelët.
Presidenti amerikan, Donald Trump e cilësoi Presidentin sirian Bashar al-Assad një kafshë, duke paralajmëruar se ai, bashkë me aletatët, Iranin dhe Rusinë, do ta paguante shtrenjtë. Trump dhe Presidenti francez, Emmanuel Macron lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën premtonin një reagim të fortë dhe të koordinuar ndaj sulmit të supozuar.
Por, zyrtarët amerikanë kanë mohuar të kenë sulmuar me raketa. “Në këto momente, departamenti i mbrojtjes nuk po kryen sulme ajrore në Siri”, tha Pentagoni në një deklaratë.
“Sidoqoftë, ne vazhdojmë të ndjekim nga afër situatën dhe mbështesim përpjekjet diplomatike për ti vënë ata që përdorin armë kimike në Siri dhe kudo tjetër, para përgjegjësisë”, shton deklarata.
Fillimisht, agjencia shtetërore siriane e lajmeve e quajti sulmin me raketa në bazën ajrore Tiyas një sulm të dyshuar amerikan, por më pas, referenca ndaj Shteteve të Bashkuara u hoq. Në prill 2017, SHBA hodhi 59 raketa “cruise tomahawk” mbi bazën ajrore siriane Shayrat, si reagim ndaj sulmeve me armë kimike në një qytet tjetër që kontrollohej nga rebelët, Khan Sheikhoun.
Izraeli po ashtu ka sulmuar objektiva siriane më herët këtë vit dhe ushtria izraelite nuk ka dhënë ende komente për sulmin e fundit.
Top Channel