Protesta e radhës mban emrin e bizneseve të vogla e të mesme dhe është caktuar për të martën.

Ata refuzojnë që të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar, skemë në të cilën u futën që prëj 1 prillit.

Javën që shkoi pati protesta në disa qytete, por nga Tirana vjen një thirrje e organizuar për protestë masive të martën nga ora 11 me 12.

“Të mbyllë subjektin për veten e vet. Kjo reformë për ne, gjashtëmujorin e do të sjellë rreth 25 mijë deri në 30 mijë biznese të mbyllura dhe gjashtëmujorin e dytë do të mbyllë rreth 50 mijë biznese në total”, thonë biznesmenët e vegjël.

“Merrni faturat me vete në protestë dhe t’i grisni aty para syve të gjakpirësve. Nëse jemi të bashkuar, do të arrijmë që ta ndalim Edi Ramën”, apeloi Nikollaq Neranxi nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe të Tregut.

Me bizneset do të jetë edhe opozita, e cila prej ditësh ka bërë thirrje për mospagimin e TVSH si një formë të mosbindjes civile.

“Qytetarët dhe konsumatorët po kështu do të goditen egër nga futja në skemën e TVSH të biznesit të vogël, çka do të reflektohet në rritjen e çmimeve të mallrave të konsumit për ta. Skema e tyre falimenton për 24 orë nëse shqiptarët ngrihen”, deklaroi Lulzim Basha.

Kreu i opozitës vazhdon të jetë i bindur se pas përfshirjes në skemën e TVSH edhe të biznesit të vogël qëndron një projekt i ri koncensioni. Akuzën e çon direkt në familjen e Kryeministrit.

“TVSH po futet në biznesin e vogël që të bëhet gati koncesioni i TVSH-së për t’ja dhënë vëllait të vet, një plan për të cilin e bëri kurban një ministër Financash”, deklaroi më tej kreu i PD-së.

Sipas Bashës përfitimi i qeverisë në buxhet nga vendosja e kësaj taske është mininimal, ndërsa kostoja për bizneset dhe qytetarët e lartë.

Protesta e biznesve është e treta e madhe që po zhvillohet brenda 10 ditësh, pas asaj kundër pagesës në Rrugën e Kombit dhe bllokimit të rrugëve në 4 pikat kryesore të vendit.

Top Channel