
Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve konfiskuan dokumente të avokatit personal të presidentit Donald Trump, Michael Cohen, në zyrën e tij në Mahatan të Nju Jorkut.
Kjo u bë e ditur në një deklaratë të avokatit te Cohen, Stephen Ryan. Urdhri i bastisjes u ekzekutua nga zyra e avokatit për qarkun jugor të New York, por ato kanë lidhje vetëm “pjesërisht” me hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller.
CNN, që citon burime të afërta me çështjen, pretendon se dokumentet e konfiskuara përmbajnë informacione mbi aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, e cila pretendon se ka pasur lidhje me Donald Trump në vitin 2006.
Michael Cohen është vënë nën vëzhgimin e pandërprerë të medias, për shkak të një pagese prej 130 mijë dollarësh që i ka bërë pornostares, për ta detyruar të heshtë mbi marrëdhënien me Trump.
Top Channel