Frikë për sigurinë e urës më të gjatë në det

09/04/2018 10:22

Autoritetet që mbikqyrin ndërtimin e urës më të gjatë detare në botë po përpiqen të shuajnë shqetësimet se pjesë të strukturës masive po fillojnë të gllabërohen nga deti.

Ndërtimi i urës 55 km të gjatë, që lidh Hong Kongun, Makaun dhe Kinën, përfshin edhe ndërtimin e ishujve artificialë, rrugëve të reja dhe një tuneli nën det. Foto të realizuara më herët këtë muaj tregonin se blloqet e betonit të përdorura për ndërtimin e një prej ishujve, e që thithin dallgët, ishin shkëputur nga barriera mbrojtëse dhe pjesërisht ishin zhytur nën ujë. Fotot kanë ngritur shqetësime për integritetin strukturor të ishullit të ndërtuar nga një kontraktues kinez, që lidh urën me një tunel nën det.

Departamenti i Autostradave të Hong Kongut ka dërguar përfaqësuesit e tij për t’u takuar me projektuesit dhe ka thënë se do të monitorojë punimet në urë për të garantuar që do të plotësohen të gjitha kërkesat. Por, duke reaguar pas publikimit të fotove, zyrtarët në autoritetin e urës Hong Kong-Shuhai-Makau, thanë se vendosja e blloqeve të betonit ishte dizajnuar e tillë. Sipas tyre, blloqet ishin vendosur qëllimisht në mënyrë të çrregullt, për të zbutur presionin në tunelin nën det.

Projekti në ndërtim prej 9 vitesh është shoqëruar me vonesa, padi ligjore dhe mungesë buxheti. Ura, që do të hapej në 2016, pritet të jetë operacionale brenda këtij viti, thonë zyrtarët e Hong Kongut. Mbështetësit e projektit thonë se ura që lidh tre qytete, Hong Kong Makau dhe Shuhai, do të bëjë që zona të shndërrohet në një qendër të rëndësishme ekonomike.

Por, kritikët mendojnë se ura është thjeshtë një mënyrë që Kina të forcojë autoritetin e saj mbi Hong Kongun, një rajon administrativ i posaçëm, gjysmë-autonom, që nuk e pëlqen shumë autoritetin e Pekinit. Zyrtarët kishin publikuar foto të ishullit edhe më parë, gjatë tajfunit vdekjeprurës Hato gushtin e kaluar, për të treguar se vetitë mbrojtëse të blloqeve kishin funksionuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA