Fermerët e Nënshkodrës nuk mund të përfitojnë subvencione nga shteti, për shkak të kritereve të reja që janë vendosur.

Fshati Kosmac i Nënshkodrës, i cili njihet dhe si zona me prodhimet më të larta në bujqësi në të gjithë zonën e Shkodrës. Vetëm sera ky fshat ka rreth 700 dynym. Sedat Ademi është një nga fermerët, i cili si të gjithë banorët e tjerë në këtë zonë e siguron jetesën vetëm nga prodhimet bujqësore. Por për Sedatin dhe fermerë të tjerë mungesa e subvencioneve po e çojnë bujqësinë në falimentim.

“Kam 5 dynym sera me një vlerë ndërtimi mbi 50 milionë lekë të vjetra, por me kriterin që ka vënë qeveria konkretisht për serat, që në anësore duhet të kenë lartësi 2 m e 80 cm askush nuk mund të përfitoje të paktën në veri të vendit, ku serat për shkak të erërave të forta nuk janë ndërtuar të larta”, thotë Sedat Ademi.

Sedat Ademi tregon se vëllai i tij braktisi vendin, duke emigruar për arsyen e vetme të mungesës së politikave lehtësuese për fermerët.

“Vëllai ka shkuar në Francë, ku pikërisht këtyre probleme ka mbetur atje. Këtu nuk e përballoi situatën”, shprehet Sedati.

Por përveç kriterit të vendosur për lartësinë e serave, një tjetër faktor penalizues që fermerët i skualifikon nga skema e subvencioneve është edhe fakti që atyre për të përfituar subvencion i duhet të ketë mbi 5 dynym tokë të mbjellë.

Top Channel