Rizgjedhja e Viktor Orban për një tjetër mandat në krye të Hungarisë është pritur me entuziazëm nga ekstremistët e djathtë në vendet e Bashkimit Europian.
Zv.kryetarja e grupit parlamentar të ekstremistëve të djathtë të AfD-së në Gjermani e uroi përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Urime Viktor Orban! Një ditë e keqe për Bashkimin Europian, një ditë e mirë për Europën!”, shkruan Beatrix von Storch.
Po rrjetet sociale zgjodhi edhe bashkëkryetari i AfD-së, Jorg Meuthen.
“Viktor Orban mbron politikat që kanë në qendër njerëzit e tij, hungarezët. Ai e tha qartësisht se do të vazhdojë me këto politika dhe pikërisht për këtë u rizgjodh”, shkruan ai.
Në Francë, Viktor Orban u urua nga Marine Le Pen e Frontit Kombëtar.
“Një fitore e madhe e Viktor Orbanit në Hungari; një goditje për politikat e BE-së të emigrimit masiv, që edhe njëherë tjetër u rrëzuan. Nacionalistët mund të marrin shumicën në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian në 2019”, shkruan Marine Le Pen në Twitter.
Geert Wilders në Holandë e cilësoi gjithashtu fitoren e Orban një “rezultat mahnitës” dhe një “fitore të merituar”.
Edhe në Poloni, qeveria e të cilës ndodhet në qendër të kritikave nga Brukseli për disa ligje, përfshirë këtu edhe reformën në gjyqësor, fitorja e Orban u prit me entuziazëm.
“Është një konfirmim i politikave të duhura të vendeve të Europës Qendrore”, deklaroi zv.ministri i Jashtëm polak, Konrad Szymanski.
Top Channel