I pyetur nëse po afron një luftë midis Greqisë e Turqisë në një intervistë për revistën gjermane “Der Spiegel”, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias është përgjigjur se nuk e beson diçka të tillë. “Jo, nuk e besoj këtë dhe shpresoj se edhe Turqia nuk beson se mund ta bëjë këtë luftë. Nuk mendoj se Recep Tayyip Erdogan mund të ëndërrojë ndryshimin e kufijve europianë”.

“Nuk ka alternativë tjeter veç paqes dhe bashkëjetesës paqësore”, ka theksuar kryediplomati grek. “Por kjo nuk do të thotë që ne nuk marrim parasysh sjelljen e çdonjërit prej fqinjëve tanë dhe sesi ata përballojnë problemet e fqinjësisë, të cilat duhet të zgjidhen në mënyrë diplomatike, paqësore, në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë ministri i Jashtëm grek.

“I them gjithnjë Erdoganit kur e takoj se Allahu na vuri pranë njëri-tjetrit dhe ai pret e shikon nëse sillesh në mënyrë të drejtë, morale dhe racionale. Nuk mund të ndryshosh gjitonin”, thotë Kotzias në një pjesë tjetër të intervistës.

“Presidenti turk është një udhëheqës në Turqi dhe jo një personalitet i rastësishëm. Greqia nuk është një fqinj i keq, por Erdogani ka tendenca arrogance”, thekson Kotzias, që vlerëson se Ankaraja, si mënyrë të të bërit politikë pëlqen krijimin e tensioneve, ndërsa Athina ka si kulturë të saj racionalizmin.

“Synimi i tyre është të na detyrojnë të ulemi në një tryezë me kushtet e tyre, por kjo nuk ka për të ndodhur dhe këtë duhet ta kuptojnë”, shprehet ai.

Në kundërshtim me ministrin e Mbrojtjes, Kammenos, Kotzias nuk e quan Turqinë vend armik, por thekson se, ajo ka me Greqinë probleme gjeostrategjike dhe pretendime gjeopolitike.

Në pyetjen nëse Greqia mund të durojë një garë armatimi, Kotzias përgjigjet se ushtria greke ka 6 nëndetëse gjermane, që janë një armë e tmerrshme në det, dhe se, vërtet Turqia porosit aeroplanmbajtëse, por edhe Greqia ka 2.000 ishuj dhe pavarësisht se nuk ka shumë parà, ka avantazhin e një mbrojtjeje të mirë.

Top Channel