Koreja e Veriut është e gatshme të diskutojë me Shtetet e Bashkuara për të hequr dorë nga armët bërthamore. Të paktën kështu është shprehur së fundmi një zyrtar i lartë amerikan.
Kjo mendohet se do të ndodhë gjatë takimit të shumëpërfolur mes Donald Trump dhe liderit komunist Kim Jong Un.
Zyrtari amerikan, i cili ka folur ekskluzivisht për “Reuters”, është shprehur se mes SHBA dhe Koresë së Veriut ka pasur kontakte të fshehta kohët e fundit, në të cilat Peniani ka konfirmuar gatishmërinë për të mbajtur takimin historik mes dy liderëve.
Komunikimet, të cilat janë ende në një fazë paraprake, kanë përfshirë zyrtarët e Departamentit të Shtetit të cilët kanë folur me përfaqësuesit e Koresë së Veriut me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe oficerëve të inteligjencës nga të dy anët.
Donald Trump bëri kërcënime serioze vitin e kaluar për luftë ndaj Koresë së Veriut, ndërsa së fundmi ka befasuar botën duke u shprehur i gatshëm të takohet me Kim Jong Un sa i përket programit përthamor të shtetit komunist, i cili rrezikon edhe Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët amerikanë janë shprehur se takimi mes dy liderëve mund të ndodhë në muajin maj, por nga Koreja e Veriut ende nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me këtë çështje.
Top Channel