Jahantaab Ahmadi e mori me vete foshnjen e saj dymuajshe në provimet e pranimit në universitet. Fotografitë e nënës së re afgane, që lexonte leksionet e ulur në tokë ndërsa kujdesej për fëmijën, u përhapen me shpejtësi në internet dhe asaj vet i ndryshuan jetën.

Sakrifica e Jahantaabit do të shpërblehej shumë më tepër nga ç’mund të kishte shpresuar.

“Ishte nxehtë dhe unë po djersija, ndaj u ula nën një karrige për ta mbrojtur disi fëmijën nga drita e fortë e diellit”, tha Jahanraab Ahmadi, afgane.

Jahantaab kishte udhëtuar 7 orë për të marrë pjesë në provim. Një pedagog e pa në ato kushte, duke lexuar e duke u kujdesur njëkohësisht për foshnjën. Ai shkrepi disa foto dhe i postoi në mediet sociale. Vajza në fillim u shqetësua.

“U tremba se mos familja ime zemërohej, kur t’i shihte fotot në internet. Provimin e bëra me fëmijën në gji, bebja qante shumë. Mendova për një moment se pedagogët do të bezdiseshin e do të më nxirrnin jashtë, sepse po shqetësoja studentët e tjerë”, shtoi më tej ajo.

Por nuk ndodhi ashtu. Sa për fotot, ato i sollën ofertën e një universiteti prestigjoz të Kabulit për të ndjekur studimet në degën e Ekonomisë. Një politikane u tregua e gatshme të paguajë tarifat shkollore dhe zëvendëspresidenti i vendit do t’i sigurojë një apartament falas për një vit.

Jahantaab, megjithatë, nuk ka ndërmend të shpërngulet në kryeqytet, e thotë se me të mbaruar shkollën do të kthehet në fshatin e saj për t’i shërbyer njerëzve atje.

Top Channel